Tashmë mund të rrimë të qetë.

Ditën e djeshme organizatorët e festivalit të Sanremo-s pezulluan nga gara kantautorin shqiptar Ermal Metën dhe Fabrizio Moro-n këngëtarin italian që ka realizuar këngën “Non mi avete fatto niente” në bashkëpunim me Metën.

Advertisement

Pas vlerësimeve të kryera, “Rai” ka dalë në përfundimin se kjo këngë nuk ka përse përjashtohet nga konkurrimi, thuhet në faqen “online” të gjigantit mediatik italian.

Zyra ligjore e tij shpjegon se, pjesa përmban vërtet disa fragmente nga “Silenzio” e prezantuar në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë të vitit 2016, por ato janë në masë më të vogël sesa një e treta e saj, që do të thotë se rregullorja e Festivalit nuk shkelet.

Përpos kësaj, nga verifikimet e thelluara rezulton se kohëzgjatja, teksti dhe meloditë e të dyja këngëve janë të ndryshme. Me pak fjalë, përderisa ngjashmëria nuk kapërcen 1 minuta e 3 sekonda në një këngë që zgjat 3 minuta e 24 sekonda, atëherë nuk ka shkelje.

Ermal Metës pra, “nuk i bëhet asgjë”, dhe “Non mi avete fatto niente” vazhdon garën. Shkaku i përngjasimit në thelb ishte shumë i thjeshtë: autori i të dyja këngëve është i njëjti person, Andrea Febo.

Pikat e përbashkëta gjendeshin si në tekst, ashtu edhe në melodi. Fakti që kënga është krijuar nga e njëjta dorë përjashton plagjiaturën. Problemi qëndronte te fakti që publiku e kishte dëgjuar më parë, gjë që nuk lejohet, ndaj lindi nevoja e një verifikimi të kujdesshëm.