Me ngritjen e shqetësimit nga qytetarët qeveria reagoi dhe premton se nuk do të ketë hidrocentrale në kanionet e lumit Osum.

Ishte vetë Kryeministri Edi Rama, i cili falënderoi sot qytetarët që denoncuan për ndërtimin e HEC-it mbi kanionet e Osumit dhe i siguroi ata se Kanionet e Skraparit nuk do të preken.

Advertisement

“Qysh se u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore, e cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet”, shkruan Rama në një postim në Facebook.

Duke falenderuar qytetarët që e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë, Rama thekson se asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur pa dashje mund të jenë duke gabuar.

“Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”, shprehet Rama.

Kanionet e Osumit, i njohur ndryshe edhe si ¨Kanionet i Skraparit¨, është kanioni më i madh lumor në Shqipëri. Ai gjendet në rajonin jugor të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Qarkun e Beratit, Rrethi i Skraparit. Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit.

Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.

Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë.

Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit. Midis tyre dallohet “Vrima e nuses”, që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe diametër rreth 2 m. Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta.