Krerët e koalicionit qeverisës diskutuan mbi reformën në drejtësi në takimin e tyre të përjavshëm. Diskutimet u përqendruan gjithashtu edhe tek bojkoti i Parlamentit dhe protesta e opozitës, e cila hyri në ditën e 13 të saj. 

Asnjë nga pjesëmarrësit nuk u prononcua pas takimit, por sipas njoftimit nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë, aty është diskutuar edhe për reformën zgjedhore dhe nevojën për zgjedhje të besueshme dhe transparente.

Advertisement

Mazhoranca, thuhet në njoftim, është e gatshme të bëjë dialog me opozitën për zgjidhjen e krizës politike dhe për këtë është e gatshme të ulen në një tryezë, ku të diskutohet çdo propozim i saj për të çuar përpara reformat me interes kombëtar.

Pjesëmarrës në takim ishin kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. Në takim mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, roli i të cilit është cilësuar së fundmi si i paligjshëm nga ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili.

Takimi vjen disa orë përpara mbërritjes së kryediplomates së BE-së, Federika Mogerini në Tiranë, e cila do të zhvillojë takime me Edi Ramën, Ilir Metën dhe zyrtarë të opozitës.