Pas lajmit se Ministria e Kulturës parashikon të zhvendosë Teatrin Kombëtar te “Turbina”, aktorët e teatrit kanë dalë në protestë për të kundërshtuar këtë vendim.

Ndër aktorët e mbledhur kishte emra si Bujar Asqiriu, Altin Basha, Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Rezart Veleshnja, etj. Deklarata më e fortë e protestës ishte ajo e Bujar Asqiriut, i cili akuzoi ministren Kumbaro, duke thënë se ajo nuk e di se ç’është artisti dhe duke akuzuar politikanët të cilët shpenzojnë miliona euro për vila ndërkohë që lënë artistët në mjerim.

Advertisement

Deklarata e plotë:

“Si duket, refleksionet që vijnë që qeveria dhe ministria jonë e nderuar janë të pakta dhe të pafuqishme dhe mos të them të ftohta. Këta duket që nuk e dinë se çfarë është artisti, në thelb nuk e dinë se çfarë është artisti. Një artist i joni, më i miri i joni merr rrogën më të ulët se një nëpunëse e thjeshtë e Ministrisë së Kulturës. Domethënë, ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar, që u bën gjithë këtyre artistëve që luftojnë me mund dhe me djersë. Jo më kot kolegët tanë të nderuar ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk pyeti për ta, askush nuk u kujdes për ta, askush nuk e çau tra*in për ta. Dhe ata ikën me një barrë pengjesh në shpirt dhe ne duhet t’i ngremë me të madhe. Mos të them që Bujar Lako jetonte në një shtëpi 50 metra katrorë, artisti ynë i madh, kurse qeveritarët tanë kanë vila nga 5 milionë. Kjo është drama e madhe pasi vendin e udhëheqin hajdutët, këtë vend e drejtojnë hajdutët, prandaj nuk ka lekë për artistët, nuk ka lekë për teatrin dhe ne na fusin në vrimën e miut, atje tek hidrocentrali. Edhe lekët për një dosje i marrin, edhe 100 lekë për një dosje e marrin e fusin në llogari. Nuk lënë lekë në këmbë, këta janë qeveritarët tanë. Nganjëherë them pse po flas, a më dëgjon njeri. Nuk na dëgjon askush, them a përmbyset kjo hajdutëri? Ne kemi të drejtën legjitime të Zotit dhe Zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre. E kuptoj që ata do të tallen me ne, që do të nxjerrin gjuhën me ne. Ata mendojnë se sa do të fitojnë sot. Ku do hanë drekën dhe darkën dhe me kë do bëjnë qejf sot. Nuk mendojnë asgjë tjetër. Këto ishin ndjesitë e mia. Ne me aq sa kemi fuqi, ta mbrojmë punën tonë.”

Ndërsa regjisori Altin Basha tha se artistët nuk lejohen të hyjnë në sallën e teatrit për të mbajtur deklaratë.

“Artistët nuk lejohen të hyjnë në sallën e teatrit për të mbajtur një deklaratë. Shenjë skandaloze. Administrata e teatrit që përfaqëson ministrinë e Kulturës nuk ka dëshirë për dialog. Na janë bashkuar kolegë nga cirku, nga TKOB, nga QKK gjëja që nuk është më e vogël. Janë 4 mijë firmëtarë të peticionit online. Kumbaro ka kërkuar një përfaqësi për takim në ministrinë e Kulturës të mërkurën në orën 4. Ditën e mërkurë në orën 4 e presim këtu në teatër ministren”,– tha Basha.