Ndahet nga jeta aktori i njohur i humorit, Fadil Hasa

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori i mirënjohur i humorit shqiptar, Fadil Hasa.

Aktori durrasak ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të hëne. Ai vuante prej vitesh nga sëmundja e rëndë e kancerit në mushkëri. Nesër, në orën 10:00 do të bëhen homazhe në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Advertisement

Fadil Hasa lindi në Durrës me 8 prill 1940. Rolet e tij kanë lënë shenjë në historinë e humorit në Shqipëri, atij humori të pastër, i cili të bën të qeshësh me gjithë shpirt. Fadil Hasa, ka sjellë me dhjetëra personazhe për të cilat ka marrë shumë vlerësime nga publiku.

Në vitin 1974, aktori Fadil Hasa hyn në Estradën e Durrësit si një aktor profesionist. Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Sheqeri”, “Tekniku i lavatriçes”, apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar.

Ka luajtur edhe në filma si Kronikë provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit dhe Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit.

Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, aktorit Fadil Hasa ju dha çmimi i Aktorit më të Mirë, për rolin e luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.

Aktori mban titullin Artist i Merituar.