Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një deklaratë për mediat lëshoi një lum akuzash ndaj qeverisë dhe kryeministrit pas shkarkimit të tij nga detyra ditën e sotme.

Sipas Manjanit, kryeministri i vendit Edi Rama prej 6 muajsh i bënte  presion kryetarit të LSI, Ilir Meta që ta shkarkonte për faktin e vetëm se guxonte të denonconte publikisht në media gjithçka që i dukej si jo në përputhje me ligjin dhe kushtetutën dhe aferat korruptive të kësaj qeverie me të cilën sipas tij nuk e lidh asgjë.

Advertisement

“Kështu u katandis kjo qeveri tani, duhet të komunikojmë përmes medias për të marrë vesh se jemi shkarkuar. Faleminderit shumë, ju jam shumë mirënjohës që më keni dhënë mundësi që bashkë me ju të përçoj mesazhe publike, profesionale dhe parimore, sepse në jetën time kam qenë gjithmonë profesionist. Politika është një mjet për të zhvilluar projektet profesionale. Këtë mundësi ma dha LSI dhe Ilir Meta që i jam mirënjohës. Kur kam hyrë në qeveri kam gjetur një procedurë që s’kishte lidhje me ligjin dhe kushtetutën. Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhjet e qeverisë, kjo ishte e patolerueshme për mua. Me Ramën nuk kemi debatuar për çështje personale, por parimore dhe ligjore, çfarë kam pasur i kam thënë, i kanë të regjistruara, kështu që nuk i kam asnjë borxh. Që nga vera e kaluar Rama ka harxhuar kohë për të bërë presion, jo mua, po Metës që të më shkarkojë. Arsye i di ai, por ajo që thotë është se unë flas pa leje në media. Në një vend demokratik ministrit kërkohet t’i mbyllet goja. Mua me kryeministrin nuk më lidh asgjë, kryeministri mua më ka përzënë edhe nga opozita.  Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh, po mendove shkarkohesh, mos fol në media je burrë i mirë, kjo është ajo që do Rama. Jam shumë i nderuar që kryetari i parlamentit ka mbajtur në anën e ligjit”, deklaroi Manjani.

Sipas Manjanit, krisja finale me kryeministrit erdhi pas deklaratës së tij për kanabisin, që sipas ish- ministrit pasoi denoncimin e disa afera korruptive prej tij.

“ Kjo ka qenë e vërteta për 6 muaj. Kemi debatuar pasi disa praktikja më janë dukur korruptive. Një vendim për të dhënë me koncesion ndriçimin e rrugëve si korruptive. Kjo ka qenë përplasja e parë. Nuhata që shteti nuk po mbronte investimet e huaja, dhe pas kësaj u rrah një biznesmen. Ditën që kam bërë deklaratën për kanabisin u shtua presioni ndaj meje. Kryeministri u nervozua. Mua nuk më lidh asgjë me këtë qeveri. Kryeministri duhet të shkarkonte Tahirin, ia kanë kërkuar partnerët ndërkombëtar dhe ai e di mirë këtë gjë”, tha Manjani.