Riku është një nga dëgjueset e rregullta të emisionit të mëngjesit “Chaud Patate” në Energy Radio.

Ajo është një vajzë me shumë imagjinatë dhe me shumë talent në të shkruar. Moderatorët e emisionit e kanë konsideruar gjithmonë si mikeshën e tyre dhe kanë këmbyer shumë mesazhe me të, ku shumica e tyre janë mjaft komike. Por, sot zbuluam që jeta e Rikut nuk është dhe aq e bukur sa mesazhet e saj me plot imagjinatë. Në bisedë e sipër duke marrë parasysh moshën e saj, Suada e pyet Rikun përse nuk ndodhet në shkollë në atë orar, pa e ditur që përgjigja e saj do ta linte pa fjalë.

“Shumë falemiderit Flor që e lexove mesazhin! Unë do të doja shumë që të vija aty te ju për të kaluar super, për t’u kënaqur, për të bërë këto skenaret e mija që ju i keni qejf dhe unë ju falenderoj që i vleresoni ato skenaret e mija lëmsh. O Sui do ti përgjigjem dhe pytjes tënde: për moshen që kam në këtë orar duhet të isha në shkollë duke studiuar për të ardhmen më të mirë dhe për vetë faktin që e dua shumë shkollën. Por, që për fat të keq s’munda ta vazhdoja shkollën dhe ajo mbeti ëndërr peng. Arsyet janë të ndryshme. Jetojmë në këtë fshat ku mentaliteti dhe plot barriera të sillen nëpër këmbë, ku ëndrrat qëndrojnë larg. Kur mungon mbështetja dhe besimi i familjes për të cilën kam nevoj unë. E kuptoj që deri aty arrin limiti i tyre, por unë s’dua të jem limiti i tyre. Por, me mungon ajo fuqia, ai guximi që duhet. Jetoj në këtë botën time të vogël dhe ndodh që në dhomën tjetër diskutohet për fejesa, për burrë, ndërsa unë jam në dhomën tjetër me laps e letër në dorë, me lot në sy duke prit që mrekullitë të ndodhin. Duke prit që ato muhabete te marrin fund dhe duke pytur veten: kur do ta kuptojnë që jam e dashuruar me ëndrrat e mija?? Kur do ta kuptojnë shpirtin tim të lire? Ky është realiteti… Por përsëri jam munduar të jem optimiste, të buzëqesh, sepse ka akoma gjëra që ja vlejnë në këtë botën time të vogël dhe janë munduar të më ndryshojnë, por unë nuk ndryshoj ë për asgje, për askënd. Ej “Chaud Patate” e ndjeva për ta shkruar këtë gjë sepse unë ju konsideroj shokët e mi dhe ju jeni pjesë e botës time me ëndrra; lëmsh, të çuditshme, të çmendur, ndoshta “fun”… Jeni buzëqeshje për mua dhe unë i dashuroj njerzit si ju.”,– shkruan Riku në mesazhin e saj.

Fatkeqësisht, kështu si Riku ka dhe shumë vajza të tjera në Shqipëri, të cilat duan të dalin nga ajo “guaska e ngujimit” e krijuar nga mentaliteti i dobët, por nuk kanë forcën për ta bërë diçka të tillë. /radionrg.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.