Durrës/ Sekuestohen mbi 180 mln euro kokainë, dy në pranga, një në kërkim

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dhënë detaje lidhur me kapjen e sasisë së konsiderueshme të kokainës.

Veliu tha se droga ishte nisur nga Kolumbia, tranzit në Itali dhe Maltë për të mbërritur në portin e Durrësit. Dy persona janë arrestuar, teksa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë që kishte kontenierin me banane ku ishte fshehur droga.

Advertisement

“Mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizën e riskut, pas një pune të mirë, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e një sasie rekord prej 613 kg lëndë narkotike kokainë, me vlerë tregu mbi 180 mln euro” tha drejtori i përgjithshëm i policisë.

Veliu tha se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit të ngarkuar me banane. “Në momentin që nga ngarkesa e ligjshme me banane u mor në dorëzim nga “Arbi Garden”, me pronar A. Ç. Sasia e drogës ishte në 528 pako me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri u mbajt në vëzhgim derisa mbërriti në magazinën e firmës nga strukturat e policisë”, tha Veliu.

Në pranga kanë rënë dy 25 vjeçarë, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa pronari i kompanisë, A. Ç është shpallur në kërkim.

Sasia e drogës zbulon një rrjet trafiku narkotikësh, që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.

Drejtoria vendore e policisë së Durrësit nuk ka informacion për ngjarjen, teksa mendohet se operacioni është organizuar nga Krimet e Rënda, nga informacione të siguruara më parë. /top-channel.tv/