10-vjeçari thyen rekordin e notarit Michael Phelps

Ai është dhjetë vjeç dhe quhet Clark Kent Apuada. Natyrisht, të gjithë e quajnë Superman.

Clark Kent Apauda fitoi garën e 100m stil flutur në kampionatin e U10 me kohën 1 minutë 9 sekonda e 38 të qintat. Koha e tij ishte 5 sekonda më e shpejtë se e rivalit të tij më të afërt dhe më shumë se 1 sekondë se rekordi i vendosur nga i riu Michael Phelps në vitin 1995. Për më tepër, Apuada që është pjesë e skuadrës Monterey County në Kaliforni, i fitoi të 7 garat ku mori pjesë.

Advertisement

Ky rekord i 10-vjecarit është një rezultat vërtet impresionues duke qenë se vetë Phelps me kalimin e viteve arriti të shndërrohet në notarin me më shumë medalje olimpike të fituara në historinë e notit. Apauda, pas përfundimit të kampionatit theksoi se objektivi i tij është që në të ardhmen të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Në të njëjtën kohë ai dha edhe një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij teksa theksoi se askush nuk duhet të dorëzohet dhe të heqë dorë nga ëndrrat.