Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar lidhur me akuzat e bëra ndaj tij ditët e fundit.

Përmes një deklarate për shtyp, Xhafaj është shprehur se akuzat në fjalë janë shpifje në dëm të figurës së tij.

Advertisement

“Mbi personin tim ka nisur një fushatë shpifjesh dhe balte. Akuzat ndaj meje janë shpifje të ulëta, të fabrikuara dhe pa asnjë lidhje me realitetin”, ka deklaruar Xhafaj.

Ai ka mohuar që të ketë ushtruar funksione në strukturat e ish-regjimit komunist. “Asnjë ditë nuk kam shërbyer në strukturat e sigurimit të shtetit dhe në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme”, ka thënë Xhafaj. Ai i ka cilësuar si “të pavërteta” pretendimet e dy personave se i ka dhunuar në vitin 1986. “Ndihem i keqardhur për mënyrën se si dy individët që kanë ngritur këto akuza ndaj meje janë keqpërdorur”, ka vijuar Xhafaj, i cili nuk ka kursyer as opozitën në reagimin e tij.

“Kryetari i opozitës ripërtyp në publik akuza dhe shpifje të moçme të shefit të tij politik. Akuzat riaktivizohen sa herë më besohet një detyrë me rëndësi”, ka shtuar Xhafaj.