Bota e muzikës tronditet nga një humbje e papritur: këngëtari i njohur, Chris Cornell ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare. Zëri i fuqishëm i “Soundgarden” dhe “Audioslave” ishte ai që performoi temën kryesore të filmit “James Bond” të vitit 2006, “Casino Royale”.

Përfaqësuesi i Cornell, Brian Bumbery sqaroi përmes një deklarate se, kjo vdekje ishte e “beftë”. Familja, sipas tij, po bashkëpunon ngushtë me mjekun përgjegjës, për të caktuar shkakun e humbjes së njeriut të tyre të dashur. Të afërmit kërkojnë të respektohet dhimbja e tyre e të ruhet privatësia.

Cornell u shua pak pas interpretimit në një koncert të “Soundgarden” në Detroit, mbrëmjen e së mërkurës.

Kitaristi i Led Zeppelin, Jimmy Page ishte ndër të parët që i bënë homazhe artistit, duke shkruar në “Twitter”: U prehsh në paqe, Chris Cornell! Një njeri jashtëzakonisht i talentuar, gjithmonë i ri, e që do të na mungojë tmerrësisht shumë.

I fundit i 4 albumeve të tij, “Higher Truth”, i mbërriti publikut në vitin 2015. Single-i më i madh i artistit në Britani mbetet “You Know My Name”, kolona zanore e “Casino Royale”, ku në rolin e agjentit të famshëm anglez vinte Daniel Craig.

Jo më larg sesa të mërkurën mbrëma, vet Cornell e kishte shprehur me një mesazh në “Twitter” entuazizmin për rikthimin në Detroit me grupin e vjetër. Albumi më i suksesshëm i “Soundgarden” në Angli mbetet “Superunknown” i vitit 1994.