SHBA: Turqia të mos e shkelë “vijën e kuqe” me insinuatat mbi grushtin e shtetit

Amerika i ka kujtuar Turqisë se nuk duhet të shkelë “vijën e kuqe” me insinuatat publike të përfshirjes së saj në grushtin e shtetit të orkestruar nga ushtria.
“Pretendime të tilla janë jo vetëm totalisht të rreme, por edhe të dëmshme për marrëdhëniet dypalëshe”, deklaroi John Kerry pasi ministri turk i Punës la të kuptohej qartë se çfarë flitet korridoreve të Ankarasë.
Duke u kujtuar aleancën e tyre, Recep Tayyip Erdogan u kërkoi Shteteve të Bashkuara të ekstradojnë ish-mikun e tij, sot armik të përbetuar, klerikun Fethullah Gulen. Mbi të, Erdogani drejtoi gishtin e fajit të komplotit, por vet dijetari islamik mohon çdo përfshirje.
“Si njeri që ka vuajtur goditjet e disa grushteve ushtarake përgjatë 5 dekadave të fundit, është fyese për mua të akuzohem se kam lidhje me një përpjekje të tillë. Mesazhi im për popullin turk është të mos i shohë asnjëherë pozitivisht ndërhyrje të tilla ushtarake, sepse nuk është kjo mënyra për të ndërtuar demokracinë. Nuk forcohet qeveria republikane në këtë mënyrë. Por them se ekziston një mundësi e vogël, ka një mundësi që grushti i sapopërjetuar të jetë i stisur”, tha Fetullah Gulen, dijetar.
Turma gjigante njerëzish u janë përgjigjur thirrjeve të Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe ministrave të kabinetit në Turqi, për t’i dalë edhe një herë në mbrojtje demokracisë pas grushtit ushtarak.
Më pak se 24 orë më parë, mijëra vetë u aktivizuan kundër grushtit të dështuar ushtarak, i cili në fund i dha kreut të shtetit dorë të lirë për aksion në rivlerësimin e pushtetit, e i hapi derën arrestimit të 3.000 ushtarëve dhe pezullimit të 2.700 gjykatësve. Mes të ndaluarve ka edhe gjeneralë.

Advertisement