Një foto e postuar nga aktori i njohur i “Portokalli”-së, Bes Kallaku, ku shfaqej me gjyshin e tij të ndjerë gjatë një dite për gjah, bëri bujë në portale të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë.

Mediat online shkruan se aktori rrezikonte vite burg për shkak të ligjit të memorandumit, i cili dënon gjuetinë e kafshëve të egra në vendin tonë.

Advertisement

Kjo ka sjellë reagimin e Kallakut, i cili ka postuar një status të gjatë në Facebook, ku tregon të gjithë të vërtetën lidhur me foton e famshme dhe kritikon portalet shqiptare: “Për të gjitha portalet e *arit që na pasurojnë me lajme plot”, – e ka nisur reagimin e tij Besi. “Postova një foto të para disa viteve me gjyshin tim, kur kishim dalë për gjueti, shoqëruar me komentin “Para 3 vitesh”. E bëra për ta kujtuar pasi kishte ndërruar jetë, kishte vdekur, shkurt! E kujtova me atë foto pasi atë pasion e kishim të perbashkët. Por lum si ne shqiptarët për portalet që na pasurojnë me lajme false e me idiotësi për për të fituar ndonjë like”.

Ai më pas ka shtuar duke ironizuar disa portale shqiptare: “Pak rëndësi ka, merr një foto nga Bes Kallaku, bëj një titull abuzues, mos bëj asnjë verifikim dhe nuk ka rëndësi sa shqetësim u sjellim të tjerëve, rëndësi ka sa “like” i sjellim portalit. Hajt se po bëja veshin shurdh e “SYRIN” qorr e nuk po e thyeja majën e “LAPSIT” me këta se do e bëjnë të gjithë “copy paste” pastaj. Por na futen në burg mor vëlla, ditën kur po e përkujtoja të shkretin gjysh. Dhe pastaj janë ata skuthat e FB-së që të gjithë mllefin e papunësisë së tyre, paaftësisë së tyre, idiotësisë së tyre e nxjerrin në foton e një artisti me gjyshin e tij të ndjerë, që nuk jeton më. Me një njeri të vdekur që po shkel ligjin e ndalimit të gjuetisë! Meqë ligji për ndalimin e gjuetisë ka dalë, po përgatitet edhe ligji që ndalon abuzimin me kafshët, a do dalë një ligj që ndalon abuzimin e këtyre kafshëve me ne?”

Aktori e ka mbyllur statusin e tij duke u drejtuar një pyetje ironike të gjithë atyre që kanë shkruar se Besi rrezikon burgun: “P.S: Meqë ra fjala, pse nuk e fusni në burg edhe Dashnor Dikon për foton me kallash në 1997-n?!”. /Blitz.al/