Kryeministri Edi Rama deklaroi sot të se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm denoncim, hetim apo ndëshkim, por në radhë të parë është modernizim, pasi nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por janë sistemet që i korruptojnë njerëzit.

“Nuk është rastësi që në vendet ku sistemet janë ndërtuar mbi institucione të qëndrueshme, korrupsioni ka më pak hapësirë, ndërsa në vendet ku institucionet nuk kanë qëndrueshmëri dhe mekanizma ky fenomen ka një hapësirë shumë më të madhe. Kjo pasi në fund të ditës korrupsioni është një alternativë për të marrë atë që sistemi nuk e jep dhe nuk e garanton”, u shpreh kryeministri gjatë një Simpoziumi Kundër Korrupsionit, organizuar nga misioni amerikan i Drejtësisë, OPDAT.

Advertisement

Kryeministri nënvizoi rëndësinë e zbatimit të ligjit të Vettingut në këtë drejtim, i cili tha ai, është i rëndësishëm jo vetëm për të pastruar nga sistemi i drejtësisë një numër gjyqtarësh të korruptuar, por dhe për të dhënë një mesazh shumë inkurajues qoftë për gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, por dhe qytetarëve që ju duhet dhënë një moral i ri, për t’iu krijuar kushte që në dyert e drejtësisë të gjithë të trajtohen të barabartë, pavarësisht se çfarë statusi shoqëror  kanë, çfarë pasurie apo si e kanë emrin e të kujt janë.

Dua shumë të shpresoj, vijoi Rama, që pas pak ditësh Komisioni i Venecias do të japë verdiktin përfundimtar dhe nuk kam arsye të dyshoj se Opinioni do të mbështesë plotësisht ligjin, pasi ai është i ndërtuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe është i mbështetur nga Venecia.
Rama vuri ne dukje reformat e thella të inicuara nga qeveria ne te gjitha fushat, për të luftuar këtë fenomen.
Kryeministri u ndal tek problematika e rëndë e trashëguar në sektorin energjitik, ku korrupsioni ishte shumë i pranishëm dhe ku konsumatorët, përmes ryshfetit, blinin një faturë tjetër nga ajo e sahatit.
Një sektor tjetër, ku sipas tij vendosnin ryshfetet, ishte ai i arsimit, ne emërimin dhe largimin e mësuesve. “Largimet dhe emërimet e mësuesve ishin të lidhura me aftësinë paguese”, u shpreh kreu i qeverisë. Edhe në mjekësi,tha ai,  përgjigja ndaj korrupsionit do te vije përmes reformave.

Duke marrë fjalën në Simpozium ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu deklaroi se duhet të presim që politikanë të korruptuar, nga e majta dhe e djathta, të dalin para drejtësisë. Kjo sipas tij është dhe arsyeja pse këta politikanë të korruptuar kanë frikë nga reforma në drejtësi.

“Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë. Duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe krerë të gjykatave të korruptuar, të jenë të frikësuar. Shohim prova se këta persona janë të frikesuar dhe po përpiqen të luftojnë kundër kësaj lufte. Për shkak të frikës ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për ambasadoren e BE-se, EURALIUS-n dhe Gjykatën Kushtetuese. Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte propozuar. Të gjithë partitë politike e kanë vënë besimin në gjykimin e Komisionit të Venecias. Jemi në pritje opinionit të tij, i cili do të ndihmojë në udhëzimin e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi”, nenvizoi ambasadori amerikan.