Rama: Nuk mbyllem përjetë me Bashën, siç kërkoi Lu

Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të takohet me Lulzim Bashën, por nuk e ka të qartë sesi mund të arrijë një konsnesus për reformën në drejtësi, kur – siç thotë kryeministri, – opozita ka ende një propozim të papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Edi Rama la të kuptohet se nuk e shikonte si propozimin e duhur atë të ambasadorit amerikan.
“Së pari unë ia kam bërë ftesën Lulzim Bashës, duke i kërkuar që të takohemi sy më sy, si dy shqiptarë që sot janë kryetarë partish dhe kanë në dorë një gjë shumë të rëndësishme, ndërsa nesër do të jemi si gjithë të tjerët. Ftesa është e hapur dhe qëndron. Sot unë kam përsëritur propozimin tim dhe nuk kam thënë që ne i braktisim negociatat, siç tha ambasadori, i cili shtoi se ishte lodhur nga e gjithë kjo punë dhe pa faj, por kam thënë se nuk rrimë më në negociata absurde me një propozim në tavolinë, që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e pranojnë. Por nëse ka një propozim që është i pranueshëm për SHBA-BE, për ne nuk ka asnjë problem. Ne do të pranojmë dhe do të miratojmë ekzaktësisht siç e kërkon PD-ja, por nuk negociojmë dot një propozim që SHBA-BE thotë se nuk bën. Ai thotë që e kam në tavolinë. Tani ta vëmë këtë propozim në tavolinë dhe të mbyllemi përjetë me Lul Bashën në një dhomë? Nuk e di çfarë del ditën që do të dalim të marrim ajër, por konsensus nuk ka për të dalë”, u shpreh kryeministri.
Ky ishte rasti për të thënë me shaka disa të vërteta, ose gjysmë të vërteta, siç i quajti Edi Rama.
“Edhe ajo fjala përjetë e ambasadorit duhet marrë me rezerva, sepse ai flet shqip por mendon anglisht. Megjithatë, edhe sikur të ishte një kërkesë e SHBA-ve, këtë nuk e pranoj dot që të mbyllem përjetë me Bashën në një dhomë? Ruajna Zot! Nuk e di çfarë do të ishte… Pastaj të mbash Bashën përjetë brenda dhe të lësh Saliun jashtë, çfarë konsensusi mund të bësh? Të paktën ai duhet të hyjë e të dalë, sepse duhet të merret vesh me Saliun. Nejse, kjo është shaka, por gjysmë e së vërtetës. Shaka është, kështu që Sali mos u shqetëso! Mos u shqetëso se ti je aty në kullë rehat. Thua nuk ka konsensus, ik përballohu vetë, bëj si të duash. Kjo është prova jote e zjarrit. O me mua, o me reformën”, deklaroi kryeministri.

Advertisement