SHARE

Procedura për zgjedhjen e Presidentit mund të fillojnë që sot. Ky është opinioni juridik që administrata e Kuvendit i ka dërguar kryetarit Ilir Meta.

Duke interpretuar përcaktimet dhe afatet kushtetuese, shërbimi juridik i Kuvendit shprehet se procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë jo më vonë se data 9 korrik, por jo më herët se 13 prilli.

Brenda pak orësh, Ilir Meta ka marrë edhe një letër tjetër për të njëjtën çështje. Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi i ka kërkuar kryeparlamentarit Meta të mbledhë të enjten paradite konferencën e kryetarëve për të deklaruar menjëherë nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit dhe për të caktuar datën e seancës së parë të votimit, nga 5 që parashikon gjithësej Kushtetuta.

Ruçi citon kërkesën kushtetuese të votimit të parë jo më vonë se 7 ditë nga nisja e procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe propozon datën 19 prill si seancën e parë të votimit.

Çfarëdo të vendosë konferenca e kryetarëve, Edi Rama është i qartë se me kë do ta nisë këtë proces.

“Për çështjen e presidentit ne në radhë të parë duhet të dakordësohemi brenda aksit strategjik PS-LSI dhe në bazë të kësaj dakordësie do të hedhim hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Rama.

Pak kohë më parë, kryeministri ka deklaruar se maxhoranca, megjithëse i ka votat, do të kërkojë konsensus maksimal për kreun e ri të shtetit.

Dhe në këtë kontekst, koha që palët të takohen për çështjen e presidentit përkon me javën më të nxehtë të sezonit të ngarkuar politik.

Në 20 prill skadon afati për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe deri tani mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka një marrëveshje të dakordësuar zyrtarisht.

Zërat se presidenti i ardhshëm mund të jetë nga radhët e LSI, e ndoshta vetë Meta, bien në kundërshtim me deklaratat e tij se në këtë fushatë do hyjë si kreu i LSI.

Nga juristët një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në korrik, është opsioni i vetëm sesi Meta mund edhe të bëjë fushatë, edhe të zgjidhet president brenda kësaj legjislature.

Por a mundet që “xixat” mes koalicionit dhe letra e Ruçit të mërkurën, për nisjen menjëherë të procedurave të zjedhjes së presidentit, të shihen si një prishje e dakordësisë mes PS dhe LSI edhe për këtë çështje?

Një gjë është bërë e dukshme pas dekretimit të Fatmir Xhafës si ministër, presidenti Nishani nuk shihet më dhe aq shtrembër nga selia rozë.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryetarin e PD dhe këdo tjetër, kudo qoftë, tek presidenti e cilido qoftë tjetër që mund të marrë përsipër të bindë kreun e PD se nuk duhet të ketë frikë nga dialogu”, ka thënë Rama.

Edhe zyrtarisht, ftesa për përfshirjen e Nishanit në zgjidhjen e krizës erdhi nga brenda koalicionit. “Duke pasur parasysh figurën tuaj si kryetar shteti dhe autoritetin kushtetues ju drejtohem me kërkesën për të vlerësuar thirrjen e një tryeze të përbashkët të partive parlamentare”, deklaroi kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.

Basha nuk ka ende një ftesë, por nuk u duk refuzues. “Jo, por kemi diskutuar këtë dhe natyrisht, unë dhe opozita jemi të hapur”, tha Basha.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kalendari nga 12 deri 20 prill po del interesant, si java kur do ndahen fatet e koalicioneve, presidentit dhe vettingut.

Advertisement

Leave a Reply