Mbetjet, PD kërkon referendum, Ruci: mblidhni firmat tuaja

A duhet të lejohet importi i mbetjeve në Shqipëri? Kjo është pyetja që Partia Demokratike kërkon të cojë në referendum të përgjithshëm. Në këtë kuadër, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ka kërkuar që në rendin e ditës së seancës së sotme parlamentare të votohet kërkesa e demokratëve për zhvillimin e referendumit. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se lejimi i importit të mbetjeve në Shqipëri cënon interesin publik duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe krijon premisa për shfrytëzimin e tij nga grupe kriminale ndërkombëtare për importin e mbetjeve të rrezikshme”, ka thënë Paloka. Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, sqaroi se ligji i miratuar një javë më parë nuk parashikon import të mbetjeve, por importin e disa lëndëve të para për një industri të caktuar. Ruci njëkohësisht akuzoi opozitën se është e paaftë të mbledhë firmat për referendum dhe ndaj do të përdorë ato të mbledhura 3 vite më parë nga socialistët. “Ju flisni për plehrat kur nuk ka kaluar asnjë ligj për plehrat por ka kaluar një ligj për lëndën e parë për një industri të caktuar. Ligji që kaluam nuk lejon as djegien dhe as groposjen e mbetjeve, por vetëm riciklimin”, ka sqaruar Ruci. “Ju jeni aq të paaftë saqë kërkoni referendum dhe doni të shfrytëzoni firmat që kemi mbledhur ne. Nëse doni referendum bëjeni por zbatoni Kushtetutën dhe mblidhni firmat tuaja”, ka vijuar më tej Ruci. Kreu i Kuvendit Ilir Meta nga ana tjetër ka sqaruar se kërkesa e Partisë Demokratike do të duhet më parë të kalojë në Konferencën e Kryetarëve.

Advertisement