Fleckenstein: Vendi dhe njerëzit e tij nuk duhet të bëhen peng i lojërave politike;

Kukan: Njerëzit nuk duhet të lejojnë politikën që t’i përdorë ata…

Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein janë të një mendimi që situata tejet e rënduar politike në Shqipëri do të ndikojë negativisht ekonominë e vendit, investimet e huaja dhe aftësinë për të tërhequr fondet e Bashkimit Europian.

Gjatë takimeve me një grup gazetarësh nga Shqipëria në Bruksel, Knut Fleckenstein, anëtar i Social demokratëve gjermanë dhe reporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian pohoi se situata politike mbetet shumë e vështirë dhe kjo do të japë ndikimin e vet në ekonomi. Ai e vë sidomos theksin te reforma në drejtësi.

Sipas tij, reforma në sistemin gjyqësor është shumë e rëndësishme për vendin, por edhe për investitorët, sepse ata kanë nevojë që të besojnë te zbatimi i ligjit dhe nëse nuk kanë këtë garanci investimet do të shtyhen. “Nuk mund të them që kushdo do të rrijë në shtëpi dhe nuk do të ketë investime në Shqipëri”, tha ai. “Po, sa më shumë të zgjasë reforma, aq më shumë do të ketë hezitime”.

Fleckenstein thotë se sipas informacioneve që ai ka marrë për afatet ligjore, ka mësuar që duke mos pasur zgjedhje vendi mund të mbetet pa president, pa parlament, pa qeveri. “Nuk e di sa keq do të shkojë, por në një vend që në një të ardhme të afër rrezikon të mos ketë parlament, president, qeveri, gjërat nuk pritet të shkojnë mirë”, tha ai. Kjo situatë ndikon negativisht në ekonomi dhe besimin e investitorvëve.

I të njëjtit mendim është edhe Eduard Kukan, që është gjithashtu i shqetësuar për situatën politike dhe mënyrën se si mund të shkojnë ngjarjet. Ai shton se situata politike po ndikon ekonominë. “Ka një lidhje direkte mes situatës politike në vend, asaj ndërkombëtare dhe tërheqjes së fondeve nga Europa. Sa më pozitive situata, aq më shumë fonde mund të tërheqësh”. Ai shtoi se deri tani, Shqipëria nuk ka ecur keq ekonomikisht.

Si Kukan, ashtu dhe Fleckenstein shprehen kundër bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe pohojnë se e vetmja gjë pozitive është që të ketë dialog politik. “Kur palët takohen mund të diskutojnë gjithçka. Çdo gjuhë dramatike nuk e ndihmon situatën”, thotë Kukan. Edhe Fleckenstein thotë që liderët duhet të flasin me njëri-tjetrin.

Të dy europarlamentarët kanë bërë thirrje, që politika të mos marrë peng vendin. “Vendi dhe njerëzit e tij nuk duhet të bëhen peng i lojërave politike”, tha Fleckenstein. Ndërsa Kukan, i cili pohon se e pëlqen shumë Shqipërinë, njerëzit e saj dhe ka vizituar shumë pjesë të vendit, është i prerë kur thotë se “njerëzit nuk duhet të lejojnë politikën që t’i përdorë ata”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here