KQZ, thirrje për plotësimin e formularëve të dekriminalizimit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bën thirrje për plotësimin dhe dorëzimin brenda afatit të përcaktuar, të formularëve për dekriminalizimin. Detyrimin për dorëzimin e këtij formulari e kanë deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti, kryetarët e bashkive si dhe këshilltarët bashkiakë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vlerësim të faktit se afati përfundimtar për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, është data 4 Maj 2016 dhe numri i subjekteve që ende nuk e kanë dorëzuar, është i konsiderueshëm, kërkon mirëkuptimin e tyre për ta dorëzuar sa më parë formularin”, është shprehur zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj. Ndërkaq ajo ka njoftuar se formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore; formulari duhet depozituar personalisht (dorazi) nga secili funksionar që ka detyrimin për ta dorëzuar. Aktualisht nga 1836 funksionarë, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë KQZ-së, 255 ose 13,9% e tyre. Formulari i vetëdeklarimit ndodhet ne faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, www.cec.org.al dhe është i aksesueshëm për të gjithë.

Advertisement