Kandidati socialist për Dibrën nis takimet me qytetarët

Kandidati zyrtar i mazhorancës, doktor Muharem Rama, edhe pse ka qenë kandidati i fundit i shpallur zyrtarisht për garën për Bashkinë e Dibrës, ka nisur takimet me qytetarët e Peshkopisë. Teksa e ka shoqëruar në daljen e tij të parë publike, koordinatori i Kryesisë së Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës, Damian Gjiknuri, menjëherë ka akuzuar kampin tjetër se po sjell në këtë garë një figurë të ricikluar. Sipas Gjiknurit, Rama përfaqëson interesat e komunitetit e jo të forcës politike.“Ndryshe nga forca tjetër politike, ne nuk duam të sjellim figura të ricikluara politike që e thonë vet se janë afër pensionit por na kërkon partia për interesat e saj. Ne duam që qytetarëve të Dibrës tu japim njeriun që meritojnë, tu japim djalin e tyre dhe njeriun që i ka shërbyer popullit. Unë them se qytetarët e Dibrës, më shumë se sa një politikan që vjen thjesht për interesa politike, kërkojnë një njeri që jua di hallet, ka jetuar me hallet e tyre e që do vazhdojë të jetojë në këtë qytet”. Pas këtij takimi, Gjiknuri e Rama janë ndalur në Maqellarë ku kandidati i mazhorancës loboi për një fitore të thellë të socialistëve në këtë bashki. “Maqellaren e kam patur gjithmonë krenarinë time dhe sa herë vinin qytetarë i kam pritur dhe i kam përcjellë për 20 vjet. Kërkoj mbështetjen tuaj maksimale që të dalim me fitore te thëllë në bashki. Të tregojmë se Partia Socialiste është një parti e fortë dhe do të ketë një mbështetje maksimale. Edhe unë mund të kisha ikur, kemi qenë 8 kirurgë dhe mundësitë i kam patur të ik. Kam ndenjur për këta njerëz, për tu shërbyer si në spital edhe në Bashki dhe këtë e kam mendje të ndarë. Kërkoj ndihmën tuaj, me shpirt e me zemër të votoni masivisht dhe të na mbështetni masivisht”, u shpreh kandidati i mazhorancës z. Muharem Rama gjatë takimit me mbështetësit në Maqellarë. Sipas Gjiknurit kandidatura socialiste për Bashkinë e Dibrës u përzgjodh pas një procesi të gjatë konsultimesh.

Advertisement