Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, pasi ka mbyllur karrierën e tij si futbollist profesionist ka filluar një veprimtari të re, atë të krijimit të një fondacioni, me të cilin ka dëshirë që të kontribuojë në përmirësimin e të rinjve dhe të shoqërisë.

Investimi i parë i fondacionit të tij, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, është në Kopshtin 65 në kryeqytet, ku është ndërtuar një fushë shumësportëshe për fëmijët.

Advertisement

“Programi, më shumë sesa kjo që shihni këtu, një infrastrukturë që nuk është e madhe, më të rëndësishme ka faktin se çfarë do të sjellë për fëmijët. Kjo do të jetë puna jonë dhe, nëse fëmijët do të rriten me këto vlera, të jeni të sigurtë se do të bëhen edhe më të mirë, edhe më të shëndoshë, edhe më të aftë, edhe më mirësjellës. Ndoshta do të lodhen edhe pak më shumë, që të mos iu sjellin probleme në darkënë shtëpi”, u shpreh Lorik Cana, ish-kapiten i Shqipërisë.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi edhe njëherë se qëllimi i kësaj fushe, që është e para por që do të pasohet nga të tjera, nuk do të jetë thjesht zbulimi i talenteve të futbollit.

“Nëse do të zbulojmë talente dhe do të bëhen si Cana apo si Erjon Bogdani, kjo është perfekte. Ama nëse e vetmja gjë që mësojmë është se nga këtu ndoshta nuk dalin yjet e futbollit, por dalin yje të njerëzimit, duke mësuar të formojnë karakterin dhe të luajnë në skuadër, apo zhdërvjellësinë e punës së përbashkët, mësojnë sesi humbet apo si fitohet, atëherë përsëri besoj se kemi fituar qytetarë të jashtëzakonshëm”, tha Erion Veliaj.

Këto fusha shumësportëshe, të përshtatshme për futboll, volejboll, basketboll, apo tenis, janë një model i marrë nga fondacioni hungarez që mban emrin e legjendës së futbollit hungarez, Jano Buzanski. Në Hungari, ky fondacion ka ndërtuar rreh 200 fusha të tilla, ku janë angazhuar rreth 30 mijë fëmijë.