Hetuan landfillin, largohen nga puna drejtuesit e lajmeve të A1News

Pas raportimeve dhe hetimeve të kryera nga A1 News lidhur me landfillin e Sharrës ku pak ditë më parë humbi jetën një 17-vjecar, janë pushuar nga puna Drejtorja e Lajmeve në këtë televizion, Alida Tota dhe kryeredaktori Brahim Shima.
Lidhur me këtë ka reaguar Partia Demokratike sipas së cilës “është hera e parë që një zyrtar i lartë hakmerret në këtë mënyrë ndaj medias, jo vetëm duke mbyllur një investigim, duke bllokuar një lajm, por më keq, duke larguar nga puna drejtorin e lajmeve dhe kryeredaktorin”.
Në deklaratën e saj nga selia blu, Sekretarja për Marrdhëniet me Publikun, Grida Duma tha se “Alida Tota dhe Brahim Shima u flakën nga puna, sepse tentuan të hedhin dritë mbi aferën e madhe të korrupsionit e klientelizimit në Sharrë, ku mbeti i vdekur 17 vjecari Ardit Gjoklaj”.
Sipas PD-së, Veliaj po del në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit.
“Shkarkimi i gazetarëve me urdhër të Erion Veliajt është një prej goditjeve më të rënda të lirisë së shtypit, tipar i qeverisjes së Edi Ramës e zhytur në krim e korrupsion, që e ka median e lirë armike. Edi Rama, Erion Veliaj, aferat e tyre të llojllojshme, nga ndërtimet tek droga kanë nevojë për media të dobët e të nënshtruar. Por interesi publik, vendi, e ardhmja europiane ka nevojë për media të fortë e të pavarur”, ka thënë Duma.

Advertisement