“The Handmaid’s Tale” ishte fituesi i madh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Emmy” në televizion, mbrëmjen e së dielës.

Ylli i saj, Elisabeth Moss u shpall aktorja më e mirë dramatike, për portretizimin e një gruaje në botën distopike, e detyruar të ofrojë shërbime seksuale.

Advertisement

Shfaqja, e bazuar në librin “bestseller” të Margaret Atwood, fitoi gjithashtu çmimin për skenarin, drejtimin dhe aktoren mbështetëse Ann Dowd. Fitoret shënojnë një arritje të madhe edhe për shërbimin amerikan “streaming”, “Hulu”, kundrejt rivalëve të tij të mëdhenj, “Netflix” dhe “Amazon”.

Sterling K. Brown mori çmimin si aktori më i mirë dramatik, për rolin e tij si një afro-amerikan që është adoptuar nga një familje e bardhë, në dramën familjare të “NBC”, “This Is Us”. Sterling K. Brown bëri histori mbrëmjen e së dielës, duke u bërë i pari afro-amerikan që fiton çmimin e aktorit më të mirë në “Emmy” në 19 vite, me performancën e tij emocionale.

“Saturday Night Live”, e “NBC”-së, u shpall seria variete më e mirë, me aktorin Alec Baldwin që mori çmimin e aktorit më të mirë mbështetës në komedi, për sjelljen në ekran të personazhit të Donald Trumpit.

“Më në fund zoti president, ja ku është ‘Emmy’ juaj”, tha Baldwin teksa merrte çmimin, e duke thumbuar Donald Trumpin për frustrimin e tij të hershëm të çmimit të munguar për shfaqjen e tij, “The Apprentice”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë u bë edhe njëherë burim për çmimin e 6 radhazi në “Emmys” për Julia Louis-Dreyfus, në rolin e ndihmëses presidenciale Selina Meyer në “Veep”, të “HBO”-së. Shfaqja satirike mori gjithashtu edhe çmimin e serisë më të mirë në zhanrin e komedisë.

Seria e “HBO”-së, “Big Little Lies”, ishte po ashtu një prej fitueseve të mëdha të natës, në kategorinë e serive të limituara, duke marrë çmimin e aktores më të mirë kryesore, Nicole Kidman; asaj mbështetëse, Laura Dern; aktorit më të mirë mbështetës, Aleksander Skarsgard; drejtorit Jean-Marc Vallee; si edhe atë të serisë më të mirë të kufizuar.