SHARE

Gjykata ka vendosur me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda sekuestron e aksioneve të bashkëshortes së deputetit Alfred Peza, Mirela Ndini. Sekuestro ka vlerën rreth 113 milionë lekë të reja.

Sekuestro është vendosur në akuzën e fshjehes së të ardhurave, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe refuzim të deklarimit, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive.

Hetimet nisën nga prokuroria e Përgjithshme ndaj pasurive të deputetit Peza, bashkëshortja e të cilit ka blerë vlerën e aksioneve në masë 1% pranë bankës “Credins”, më 17 mars të 2015.

Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se deputeti Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likuiditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha.

Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në rregjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve.

Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja.

Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.

Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka Credins apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve.

Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit ligjor, ka përcjellë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda referimin për hetim pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.

Në bazë të këtij referimi, si struktura kompetente për këto raste, Prokuroria për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal per hetim pasuror, në bazë të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (Antimafia).
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi vendosjen e sekuestros ndaj aksioneve të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini në “Credins” sh.a, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.

Advertisement

Leave a Reply