Incidenti i djeshëm, në fillim të garës së Formula 1, ku u përfshinë Maks Verstappen, Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel, do të vazhdojë të komentohet gjatë.

Përplasja mes tyre solli daljen nga pista të të tre pilotëve, por Ferrari duket se mbeti më i dëmtuar nga ky incident, pasi pa t’i dalin jashtë të dy pilotët. Sebastian Vettel u pa mjaft i mërzitur pas daljes nga pista, pasi ky incident mund t’i kushtojë atij edhe titullin kampion për pilotë. “Nuk kam parë asnjë përsëritje dhe nuk di të them se kush ishte fajtor. Punë dreqi, por janë gjëra që ndodhin. Për titullin kampion nuk dua të flas”, tha Sebastian Vettel.

Advertisement

Edhe piloti tjetër i Ferrarit, Kimi Raikonnen, është mjaft i mërzitur, ndërsa fjalët e tij janë të pakta. “Nuk e di nëse Max më pa apo jo, këtë duhet t’ia kërkoni atij. Bëra një nisje mjaft të mirë dhe mund të bënim një garë shumë rezultative. Sigurisht, janë gjëra që ndodhin, por këtë herë e paguam me një çmim shumë të kripur”, tha Raikkonen.

Ndërsa i shumëkritikuari, Max Verstappen, nuk pranon kurrësesi të jetë fajtor dhe kritikon Vettelin, që i zuri rrugën. “Nuk jam aspak përgjegjës për atë që ndodhi. Bëra një start të mirë dhe kisha Vettelin nga e djathta dhe Kimin nga e majta. Vettel më mbylli rrugën dhe më detyroi të shkoj majtas, ku godita Kimin. Nuk e kuptoj këtë zgjedhje të Seb, sepse ai mund të më kishte lënë rrugë të lirë dhe sërish do të ishte para Hamiltonit”, tha piloti holandez.