SHARE

Ekspozita ndërkombëtare “Van Gogh Alive” ka hapur dyert në Athinë, ku organizatorët thonë se duan të thyejnë barrierat e mënyrës tradicionale të këqyrjes së artit.

Në një dhomë të madhe, të errët, vizitorët do të rrethohen nga më shumë se 3.000 imazhe të veprave të artit të piktorit holandez, Vincent Van Gogh, që projektohen në ekrane gjigante, mure, dysheme dhe kolona, shoqëruar nga muzika.

Sipas faqes së internetit të ekspozitës, grafika të lëvizshme shumëkanalëshe, cilësi zëri si ajo e kinemasë dhe mbi 40 projektorë “high definition” janë përdorur për ekspozitën.
Organizatorët thonë se duan të shembin idetë ekzistuese për vizitën në një muze, ku njerëzit ecin në majat e gishtave, në heshtje, përmes galerive, për të parë vepra arti.

“Historia është përreth teje dhe ti ecën përmes saj”, tha Yannis Moustakas, organizator.
Ndërsa vizitorët shohin imazhe nga vepra e Van Goghut, fushë gruri me sorra, sorrat e zeza papritur nisin fluturimin. Vizitorët qëndrojnë në mes të një imazhi të madh të të famshmes “Bedroom in Arles”, apo nën yjet e pikturës së tij “Starry Night Over the Rhône”.

Po ashtu projektohen letra dhe komente të bëra nga vet Van Gogh. Ekspozita është hapur në “Megaron – The Athens Concert Hall” më 7 nëntor, dhe do të zgjasë deri më 4 mars 2018. Kjo ekspozitë udhëtuese është hapur tani në Athinë, pas ndalesave të mëparshme në Gjermani, Itali dhe Rusi.

Advertisement

Leave a Reply