Një 12-vjeçare nga rrethinat e Gjirokastrës i ka shpëtuar aktit final të lojës “Balena blu”, që shtyn adoleshentët drejt vetëvrasjes, falë vëmendjes së shokëve të klasës.

Ata kishin vënë re ndryshimet e saj në gjendje emocionale dhe sjellje deri edhe shenjat e vetëplagosjes.Vajza ishte në ditën e 33-të të lojës që zgjat 50 ditë. Ajo kishte 10 ditë pa ushqim . Vajza përdorte telefonin e një shoqeje dhe udhëzimet i merrte në pushimin e gjatë.

Advertisement

Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër, prindërit e vajzës nuk e kanë pikasur pasi vuajnë nga probleme psikologjike. Me vajzën po kujdesen psikologët, ndërsa është bërë edhe denoncimi pranë Zyrës së Krimit Kibernetik.

“Fëmija kishte arritur deri aty sa lëndonte veten, kishte ditë pa ngrënë dhe pa pirë, një pjesë e udhëzimet të kësaj loje është edhe kjo. Një vajzë, të cilës i di vetëm emrin, i ka ofruar telefonin e saj dhe merrte udhëzime në pushimin e gjatë”, thotë Drejtorja e Drejtorisë Arsimore të Gjirokastrës, Lindita Rova.

Por rreziku i kësaj loje është i pranishëm në çdo familje dhe grupmoshë pavarësisht gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike.

“Fëmijët mund ta shkarkojnë vetë lojën në aparatet e tyre celularë. Në të gjitha rastet, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ndryshimeve që pësojnë fëmijët. Nëse bëhet më agresiv, nuk ju dëgjon, nuk ha, refuzon të pijë lëngje, nëse vëreni të grisura dhe të gërvishtura në trup, duhet të dyshoni tek loja “Balena Blu”, thotë Rova.

Loja është përhapur si fillim nga Rusia, ku ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe në vendet fqinjë me Shqipërinë alarmi është dhënë prej disa muajsh. Fëmijët bien pre e lojës duke u kontaktuar si fillim në rrjetet sociale, kryesisht Facebook e më pas u nënshtrohen rregullave 50-ditore të administratorëve anonimë.

Rregullat konsistojnë në një kalendar detyrash si shëtitja natën dhe zgjimi çdo ditë në orën 04:20 të mëngjesit, shikimi i filmave horror e deri në vetëplagosje me sende të mprehta.

Në Rusi besohet se pas këtij rrjeti qëndrojnë disa të rinj të diplomuar në psikologji.