SHARE

Operacionet plastike janë kthyer gjithnjë e më shumë në fokus të mediave dhe personazheve publikë. Ndryshimi i pamjes nga gjërat më të vogla deri tek ato drastiket po shtohet dita-ditës e më shumë. Mjaft faqe dhe rrjete sociale publikojnë shpesh VIP-at tanë para dhe pas ndërhyrjeve dhe ndryshimet e mëdha që ata kanë pësuar gjatë viteve, por çuditërisht ka ende personazhe, të cilët nuk i janë nënshtruar asnjë ndërhyrjeje kirurgjikale, por janë të lumtur e komodë me pamjen e tyre. E çuditshme, por e vërtetë!

Arbana Osmani 


Moderatorja Arbana Osmani, e cila prej shumë vitesh tashmë është pjesë e televizionit, nuk ka ndryshuar asgjë nga pamja e saj, përveç ndoshta disa fustaneve më të guximshme, duke treguar format gjatë netëve live të “Big Brother Albania 9”. Me një prezencë gjithmonë klas dhe të kuruar, Arbana ka vendosur të mos ndryshojë asgjë duke filluar nga dhëmbët e deri tek tipare të tjera të fytyrës. Mund të konsiderohet ndër moderatoret e rralla që u ka thënë ‘jo’ ndërhyrjeve kirurgjikale.

Eneda Tarifa


Këngëtarja dhe ish-prezantuesja e “Portokalli”, Eneda Tarifa, është një nga ato këngëtare të muzikës së lehtë, që kurrë nuk ka tentuar të ndryshojë pamjen e saj. Nuk e sheh kurrë të ndryshojë stil, pasi qëndron stoike dhe besnike në preferencat e saj me pamjen gjithmonë të thjeshtë dhe aspak provokuese. Trendi i operacioneve dhe numri i madh i vajzave të ‘show biz’-it, që ndryshojnë pamjen e tyre mbase për të qëndruar më gjatë në treg, nuk ka ndikuar aspak tek Eneda, e cila është një tjetër personazh totalisht kundra operacioneve.

Mariza Ikonomi

Një tjetër këngëtare e muzikës së lehtë, e cila nuk bie në sy për pamjen, por për zërin është Mariza Ikonomi. Me një pamje prej çupëline, Mariza kurrë nuk ka dëshiruar të jetë pjesë e masës, jo vetëm nga pamja, por edhe nga ana muzikore. Ajo nuk eksperimenton me rryma që nuk i përshtatën apo të komercialitojë këngët e saj. Po të kthehemi pas në kohë, do të shohim se Mariza nuk ka asnjë ndryshim në pamje, madje kurrë nuk ka hequr dorë as nga flokët historikisht të zinj.

 

Vikena Kamenica

Mezosopranoja Vikena Kamenica ka menduar se mjafton të kesh zë të mirë për të pasur një karrierë të shkëlqyer dhe nuk e ka pasur aq gabim. Gjithnjë e tërhequr dhe e rezervuar në media, duket se gjithçka ka pasur rëndësi për të, kanë qenë shfaqjet në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe aspak ndryshimi i pamjes së jashtme. Ndër të paktat artiste që rezervon freskinë dhe hijeshinë e moshës, duke qenë kundra ndërhyrjeve në fizikun e saj.

Valbona Sellimllari dhe Adrola Dushi

Nëse flasim për miss-e, kemi dy gjenerata të ndryshme, por me një të përbashkët të madhe. Ato janë antioperacione, ndoshta sepse Zoti i ka dhuruar tipare dhe trup fantastik. Bëhet fjalë për Valbona Selimllarin dhe Adrola Dushin. Dhe pse të shpallura ‘Miss’ në dy periudha të ndryshme dhe me një diferencë moshe, ato kanë qenë kundra ndryshimit të pamjes së tyre. E në fund të fundit, përse duhet ta ndryshojë pamjen një miss kur ka dalë ‘Më e bukura e Shqipërisë’?!

Ronela Hajati


Dinamike dhe ekstravagante, Ronela Hajati ka ditur të ‘godasë’ publikun me ritmet e këngëve të saj duke eksperimentuar me pamjen e egër nëpër videoklipe, por kurrë nuk i është afruar bisturisë. Një zgjedhje kjo që tregon më së miri se ndonjëherë pamja nuk është gjithçka, por ajo që ka rëndësi në muzikë, është pasioni dhe zëri.

Aurela Gaçe


Nëse flasim për zërin potent, nuk mund të harrojmë pa përmendur divën e muzikës shqiptare, Aurela Gaçe, e cila ka ndryshuar mijëra herë pamjen e saj në veshje, flokë, ngjyra, por kurrë nuk ka menduar t’u drejtohet operacioneve plastike. Kush e dashuron Aurelën, e dashuron kështu siç është.

 

Edhe pse të pakta, kanë mbetur akoma vajza të ekranit që nuk u janë drejtuar klinikave të kirurgjisë plastike. Mund të përmendim këtu edhe modelen shqiptare Kristina Bakiu, ose këngëtare si Miriam Cani. Të gjitha të suksesshme, potente dhe të famshme, janë nga të paktat personazhe publike, që e dashurojnë veten ashtu siç janë.

 

 

Leave a Reply