SHARE

Duket se taktika për të dërguar Italinë në Palermo në mënyrë që të mbahen larg tifozët shqiptarë nuk do të funksionojë. Për këtë është i ndërgjegjshëm edhe trajneri Xhampiero Ventura i cili e merr si të mirëqenë faktin se do të ketë mbipopullim kuqezi në tribuna.

“Deri më sot nuk kam ndikuar asnjëherë mbi zgjedhjen e fushave ku mund të shkojmë të luajmë. Por isha i pranishëm në Xhenova për miqësoren kundër Shqipërisë dhe më bëri shumë përshtypje prania masive e shqiptarëve. Isha edhe në Marsejë për Europianin dhe tre të katërtat e stadiumit ishin shqiptare… kundër Francës. E marr të mirëqenë që do të mbushin edhe tribunat e Palermos por edhe kjo është e bukur, pasi do të jetë një ndeshje historike për ta. Por Palermo nuk ka zhgënjyer asnjëherë nga pikëpamja e publikut, i cili ka qenë gjithmonë pranë Kombëtares, gjithmonë i ngrohtë me të, ndaj uroj që të jetë kështu edhe këtë radhë”, deklaroi ai.

Për Venturën, kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë në optikën e kualifikimit të mëtejshëm.
“Nuk kemi frikë, por ndërgjegjësim për rëndësinë e ndeshjes, është ajo që do të na mundësojë të luajmë në Spanjë me diçka konkrete në duar, rezultati i të premtes do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, deklaroi ai sot në konferencën e tij për shtyp.

Advertisement

Leave a Reply