Qeveria greke ka dhënë me koncesion kuadratet detare dhe tokësore në zonën e veriut deri në Peloponez nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar në Athinë pasditen e së enjtes në Ministrinë greke te Energjetikës, nga ministri Jorgos Stathakis dhe kompanive fituese të koncesioneve.

Ministria greke publikoi vetëm marrëveshjen dhe jo hartën detare ku do të kryhen kërkimet fizike, duke shtuar dyshimet se ato do të prekin pjesën e negociueshme mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Advertisement

Ndërkohë për kërkimet në tokë, harta dhe koordinatat u publikuan normalisht. Mes zonave të dhëna me koncesion është “Joni 2″, që është kuadrati që shtrihet në veri të ishullit të Korfuzit, një pjesë e të cilit mbivendoset në zonën e diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo zonë iu dha konsorsiumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison”, ku shpimi i parë është parashikuar të kryhet brenda vitit 2018.

Përfaqësuesi i “Elpe”, deklaroi se konsorsiumi është i bindur se në këtë zonë ka rezerva të mëdha të gazit dhe naftës. Edhe ministri grek i Energjetikës ka shprehur bindjen se kërkimet do të kenë sukses dhe ka deklaruar se në pak vite harta energjetike botërore do të ndryshojë dhe Greqia do të gjendet në qendër të ndryshimeve pozitive.

Kuadrati “Joni 2”, ndodhet brenda zonës ekskluzive ekonomike të Shqipërisë, por në bazë të marrëveshjes së demilitimit të ujërave me Greqinë mes ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe ministres greke të Jashtme Dora Bakoyannis, një pjesë e madhe e tij, i kalon zonës ekskluzive ekonomike të Greqisë.

Marrëveshja mes dy vendeve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare dhe nuk është ratifikuar nga parlamentet respektive. Si duket kjo situatë nuk e ka penguar Athinën ta negociojë fillimisht me kompanitë norvegjeze të kërkimeve sizmike, dhënien e zonës për kërkime, të cilat, pas reagimeve të Tiranës zyrtare, u kryen natën nën mbrojtjen e rojes bregdetare greke.

Pas kërkimeve sizmike, Athina vendosi avancimin për shpime me sonde, pavarësisht se kërkimet në këtë zonë, duhet të kenë të paktën dakordësinë e Tiranës, ose për të qenë tërësisht të ligjshme, një tjetër marrëveshje për demilitimin e ujërave mes dy vendeve.

Për Athinën zyrtare kjo pjesë mbetet territor grek, madje për këtë Greqia ka dorëzuar edhe koordinatat gjeografike të saj në departamentin e hartave të OKB, pa patur një rezultat të bisedimeve apo marrëveshje të re mes dy vendeve.