Latest

Skamja në Afrikë dhe në Jemen, OKB paralajmëron për vdekje masive

Komisariati i Lartë i OKB-së për refugjatët (UNHCR) paralajmëroi sot për rrezikun e vdekjeve në masë shkaktuar nga skamja në vendet e Afrikës Lindore, në Nigeri dhe në Jemen, ndërsa thatësira ka goditur një pjesë të kontinentit afrikan.

“OKB-ja drejtoi këtë paralajmërim në planin e thatësirës që po përfshin kryesisht vende të shumta fqinjë si (vendet e Afrikës Lindore dhe të Nigerisë) dhe mungesa e financimit është bërë aq e rëndë sa një krizë humanitare që mund të ishte shmangur, ndoshta më keq se ajo e vitit 2011, që po kthehet në një situatë fatale”, deklaroi një zëdhënës i UNHCR-së, Adrian Edwards, gjatë një konference shtypi në Gjenevë.

Më shumë se 200 vullnetarë përkrah milicëve kurdë për të luftuar ISIS-in

Më shumë se 200 vullnetarë janë nisur nga Gjermania, që prej vitit 2013, për të luftuar kundër organizatës xhihadiste të Shtetit Islamik (ISIS) përkrah milicëve kurdë në Siri dhe në Irak, njoftoi sot Ministria e Brendshme gjermane.

”Nga ky kontigjent prej 204 luftëtarësh, 69 janë me shtetësi gjermane”, bëri të ditur një njoftim i Ministrisë në përgjigje të një çështjeje të ngritur në Parlamentar për këtë temë mjaft të ndjeshme, në mënyrë të veçantë për marrëdhëniet gjermano-turke.

Këto grupe prej 204 vullnetarësh janë bashkuar si qindra shtetas të tjerë të huaj Njësive të Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG), pjesë e rëndësishme e Forcave Demokratike Siriane, aleancë e mbështetur nga SHBA, por e konsideruar si terroriste nga ana e Ankarasë.

Ministria e Brendshme gjermane u shpreh se gjysma e këtij kontigjenti luftëtarësh janë rikthyer në Gjermani, përfshirë 43 që zotërojnë shtetësinë gjermane.

Berlini, duke i bindur për të ndryshuar mendje që t’i bashkohen një zone në luftë, nuk i pengon këta vullnetare të lënë territorin për të shkuar në Siri dhe vlerëson gjithsesi se kthimi i tyre në Gjermani nuk përbën asgjë rrezik për sigurinë, ndryshe nga ata që rikthehen nga zona nën kontrollin e islamikëve në Siri dhe në Irak.

Trump bombardon Sirinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën me raketa bazën ajrore të Sirisë, nga ku besohet të jenë ngritur avionët përgjegjës për sulmin kimik të së martës në provincën e Idlibit.

59 raketa “Tomahawk” janë lëshuar në 04:40 me orën lokale nga një destrojer i vendosur në lindje të Mesdheut. Në një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të gjithë kombeve të civilizuara t’i bashkohen Amerikës, për t’i dhënë fund masakrave dhe gjakderdhjes në Siri e për të goditur gjithashtu terrorizmin e çfarëdo lloji.

“Të martën, Bashar al Assad ndërmori një sulm të tmerrshëm kimik kundër civilëve të pafajshëm, duke përdorur një agjent nervor vdekjeprurës. Assadi mbyti jetët e burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur. Për shumë prej tyre ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Asnjë fëmijë i Zotit nuk duhet të vuajë një llahtar të tillë. Unë urdhërova një sulm ushtarak ndaj bazës ku u organizua kjo goditje. Ky ishte një veprim në mbrojtje të interesave jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar përhapjen dhe përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike vdekjeprurëse. Nuk ka asnjë diskutim që Siria përdori armë të ndaluara të këtij lloji, duke shkelur kështu detyrimet e saj që burojnë prej Konventës së Armëve Kimike e duke injoruar Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Trump.

Por, ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moallem, e mohon përdorimin e armëve kimike: “E theksoj edhe një herë se ushtria jonë siriano-arabe nuk ka përdorur dhe nuk do të përdorë asnjëherë armë kimike ndaj popullit të thjeshtë, e nuk ka për t’i përdorur as mbi terroristët”.

Burime konfidenciale thanë për “The Guardian” se zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se kishte personel rus në bazën e al-Shayratit në momentin kur gazi sarin u ngarkua në një avion sirian, por ende nuk e kanë përcaktuar qartë nëse rusët ishin në dijeni të asaj që do të ndodhte. Pentagoni sqaroi se ushtria ruse, e cila mbështet qeverinë siriane, ishte njoftuar që më parë për sulmin me raketa, kërkon, sipas tij, ta frenojë regjimin e Asadit nga përdorimi i armëve kimike në të ardhmen. Nuk ka detaje të sakta për viktima, por guvernatori i provincës së Homsit flet për disa të vdekur e thotë se disa pjesë të bazës janë përfshirë nga zjarri. Për momentin, nuk dihet ende nëse ky ishte vetëm një akt hakmarrjeje apo një hap që shënon fillimin e një fushate më të gjatë kundër Asadit.

Kryeministri: Bravo Ilir, por… zgjedhjet në 18 qershor

Përgjigjia e kryeministrit Rama ndaj deklaratës së Ilir Metës nuk vonoi.

E nisur si një vlerësim për përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike, Edi Rama shprehet i gatshëm për çdo zgjidhje që i lehtëson opozitës rrugën për t’u kthyer në Kuvend për të votuar vettingun, për të garantuar së bashku që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

Por duke kujtuar ato që i quan reforma për të bërë shtet, Edi Rama i kujtoi Ilir Metës përse janë votuar 4 vjet më parë.

“As do të kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga vettingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje”, tha Rama në Facebook.

Kryeministri u shpreh i gatshëm për të diskutuar menjëherë me Partinë Demokratike, qoftë edhe në çadër, duke theksuar se dialogu ka qenë dhe mbetet zgjedhja e tij e parë. Për dialog foli edhe bashkëkryetari i koalicionit, Ilir Meta, i cili përmendi për herë të parë nevojën e një qeverie besimi.

“Vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithëpranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mospërfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit, garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës dhe çdo përpjekjeje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve, si edhe garantimin dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit”, tha një ditë më parë Meta.

Por kryeministri Rama tha se është i hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje që nuk cënon Kushtetutën dhe nuk bie ndesh me standardet demokratike.

“Kushtetuta jonë është shumë e qartë, zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë, qeveria është vullnet i shumicës. Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithçka tjetër”, theksoi Rama.

Referenca tek Kushtetuta e kryeministrit do të thotë se ai nuk pranon shtyrjen e zgjedhjeve dhe as qeverinë teknike të propozuar nga opozita.

Pas Elvanës, edhe J Lo?

Gjatë javës së kaluar, të gjithë kemi parë disa foto të një darke ku Elvana me sa duket ishte e ftuar në LA nga kompozitori Poo Bear, me të cilin duket se Elvana po bashkëpunon për materialet muzikore që synojnë prezantimin në tregun ndërkombëtar. Në këtë darkë ishte i ftuar edhe një nga producentët më të njohur të muzikës elektronike, fitues i disa çmimeve Grammy, Skrillex.

 

 

Por me sa duket, dyshja Poo Bear/Skrillex, kanë vendosur të kenë  një bashkëpunim më të ngushtë me njëri-tjetrin, dhe kjo mund të shihet qartë edhe nga video e cila është postuar në Instagram nga artistja e mirënjohur për të gjithë ne, Jennifer Lopez ose J Lo

Playing around in the studio w @skrillex @poobear #US

A post shared by Jennifer Lopez (@jlo) on


Urojmë sukses bashkëpunimit të kësaj dyshe, e sigurisht… presim të rejat nga Elvana, që me sa duket, nuk duhet të jenë larg…

Freedom House: Demokracia në Shqipëri, ende e brishtë

Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë ndryshim në shkallën e demokracisë krahasuar me vitin e kaluar.

Në vlerësimin që nis nga njëshi deri tek shtata, ku një është nota më e lartë, vendi ynë edhe në raportin e fundit vjetor të Freedom House merr 4,14 pikë, njësoj si vjet.

Kosova ndërkohë ka shënuar një përparim të lehtë, e më lartë vlerësohet edhe Mali i Zi.

Vlerësimi i shkallës së demokracisë përfshin disa kategori si: procesin zgjedhor, shoqërinë civile, mediet e pavarura, qeverisjen demokratike kombëtare, qeverisjen demokratike lokale, kuadrin juridik dhe pavarësinë e drejtësisë dhe shkallën e korrupsionit.

Shqipëria ishte në udhëkryq në 2016-n, e detyruar të zgjidhte mes trashëgimisë së korrupsionit e krimit të organizuar dhe një shkëputjeje radikale e ngritjen në nivelin e aspiratave të popullit për një shtet që përmbush standardet e Bashkimit Europian.

Më 22 korrik, pas 18 muajsh punë teknike intensive dhe negociatash të vështira politike, Parlamenti shqiptare miratoi me votë unanime një sërë amendamentesh kushtetuese të reformës në drejtësi, kujton organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara.

Ajo prek dhe çështjen e lëndëve narkotike dhe thotë se, pavarësisht aksioneve policore, finacuesit dhe trafikantët arritën t’i shtrijnë plantacionet e kanabisit në të gjithë vendin, duke përfituar nga varfëria e fshatarëve dhe zyrtarët e korruptuar shtetërorë.

Problemi, sipas Freedom House, duket i rrënjosur thellë në ekonominë e dobët të vendit, papunësinë e të rinjve dhe korrupsionin. Shqetësimet e hershme elektorale, si akuzat për blerje vote apo dhunë, u përsëritën vitin e kaluar në dy zgjedhje lokale, në Dibër e Kolonjë.

Zgjedhjet parlamentare janë caktuar të mbahen në 18 qershor dhe do të jenë një test vendimtar i ligjit të dekriminalizimit, të miratuar dhjetorin e 2015-s, vijon raporti i FH. Sa për sektorin mediatik, ai konsiderohet se gjatë 2016-s është përballur me presione politike. Shoqëria civile shqiptare ndërkohë po përjeton një rizgjim, sipas Freedom House.

“Lëvizjet qytetare, aktivistët, aktivteti në rrjetet sociale, shoqatat e biznesit, inciaitivat ad hoc dhe njerëz të thjeshtë u bënë më aktivë e të zëshëm për probleme të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike”, vijon raporti.

Padi ndaj Jennifer Lopez

Jennifer Lopez është paditur ditën e mërkurë nga një kompani pajisjesh “hoverboard”, e cila ka furnizuar stafin e këngëtares gjatë rezidencës së saj në “Las Vegas”.

“Sidekick Group Corporation”, në padinë e bërë, pretendon se i ka dhënë performuesve dhe balerinëve të këngëtares në total 42 copë “hoverborad”, raporton “TMZ”.

Kompania ka deklaruar se këngëtares nuk i janë kërkuar para, por në një kontratë të lidhur mes tyre, Lopez duhet ta promovonte këtë kompani në rrjetet sociale.

47-vjeçarja duhet të bënte një postim çdo tre muaj në “Instagram” ose “Twitter”, por sipas pretendimeve të kompanisë, ajo ka bërë vetëm një postim, i cili më vonë është fshirë.

“Sidekick Group Corporation” pretendon se vlera e pajisjeve shkon deri në 54.390 dollarë.

Dalin patentat e reja, ja çfarë do të ndodhë me të vjetrat

Ka nisur zyrtarisht përdorimi i patentave të reja për drejtuesit e mjeteve.

Lejet e drejtimit kanë një kategorizim më të detajuar të mjeteve që u përkasin, ashtu si dhe më shumë elemente sigurie. Një prej ndryshimeve përcakton kategori të veçantë për mjetet me kambio automatike apo manuale, transmeton Report Tv.

Drejtoria e Transportit Rrugor nga marsi ka nisur pajisjen e drejtuesve të mjeteve me patentat e reja. Lejet e reja kanë një kategorizim më të detajuar për drejtues të mjeteve të ndryshme nga ato të deritanishmet, ashtu si dhe kanë më shumë elemente sigurie.

Drejtoria e përgjithshme e Transportit Rrugor ka nisur shpërndarjen e patentave të reja për drejtuesit e mjeteve që pajisen për herë të parë me leje drejtimi.

Lejet aktuale që janë në qarkullim do të vijojnë të jenë të vlefshme deri në datën e tyre të skadencës. Vetëm atëherë patenta e vjetër do të zëvendësohet me modelin e ri të sapo hedhur në qarkullim.

Patrisi i Tunës tregon se është gati të bëhet baba (Foto)

Patris Berisha dhe bashkëshortja e tij këngëtarja e njohur Tuna së shpejti pritet të bëhen prindër për herë të parë.

E Patrisi si duket e pret me padurim momentin kur do të bëhet baba, transmeton Gazeta Express. Në një foto të publikuar në Instastory Patrisi me një fëmijë.
‘Duke u bërë gati’, ishte mbishkrimi në këtë foto.

Samsung, rikthehet me S8 dhe S8+

Ashtu siç kishte premtuar, Samsung mbërriti plot risi me modelin e fundit të serive Galaxy, S8.

Telefoni inteligjent dallon nga paraardhësit e tij që në pamje. Ndryshimi kryesor dhe më i madh sa i takon pamjes është butoni fizik “Home”. Tek S8 ky buton është hequr fare dhe është zëvendësuar me ikonën “Home” në ekran.

Ekrani i S8 dhe S8+ janë më të mëdhenj se S7 dhe S7 Edge, megjithëse vetë pajisja është më e vogël në krahasim me dy modelet paraardhëse.

Sa i takon sistemit, ai është versioni i fundit i Android, ndërsa risia e madhe është Bixby, asistenti virtual që vjen shumë herë më i përmirësuar. Bixby nuk kupton dhe komunikon vetëm përmes zërit, por edhe përmes ekranit.

Ky asistent e di gjithmonë se çfarë shtypni ju në ekranin tuaj dhe ju vjen në ndihmë në forma të ndryshme, që nga identifikimi i një sendi a objekti që fotografoni deri tek dhënia e opsioneve sesi funksionon apo ku mund të gjendet objekti në fjalë.

Galaxy S8 dhe S8+ janë pajisjet e para të hedhura në treg nga Samsung që prej “bllofit” të vjeshtës së 2016, kur tërhoqi nga tregu Note 7 për problemet e shfaqura me baterinë.

S8 dhe S8+ do të jenë gati për treg më 21 prill, i pari për shumën rreth 750 euro dhe i dyti për rreth 900 euro.

Advertisement
Advertisement

EDITOR PICKS