Deputeti i partisë LIBRA, Ben Blushi ka propozuar minimumin jetik si alternativë që do të kërkohet të vendoset me cdo kusht në të ardhmen.

Në një status në faqën e tij në facebook, Blushi shkruan se Minimumi jetik është kufiri i mbijetesës, nën të cilin çdo njeri cënohet në dinjitet dhe në shëndetin fizik dhe mendor. Një shoqëri që nuk respekton minimumin jetik, është diskriminuese.

Advertisement

Ja statusi i tij i plotë:

 

PROPOZIMI I PARË I LIBRA-S ‎

“LIBRA sot ka bërë propozimin e vet të parë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes deputetes Mimoza Hafizi.
Ky propozim kërkon përcaktimin dhe respektimin e minimumit jetik për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Çfarë është minimumi jetik?
Minimumi jetik është ai nivel të ardhurash që garanton përmbushjen e kërkesave minimale për ushqim, energji, ngrohje, ndriçim, transport, arsim dhe ilaçe për çdo qytetar.
Minimumi jetik është kufiri i mbijetesës, nën të cilin çdo njeri cënohet në dinjitet dhe në shëndetin fizik dhe mendor. Një shoqëri që nuk respekton minimumin jetik, është diskriminuese.
Për fat të keq, Shqipëria persekuton më shumë se 500 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë nën minimumin jetik, që llogaritet të jetë afërsisht 16 mijë lekë të reja në muaj.
Për të garantuar më shumë dinjitet, më shumë kohezion social dhe një shoqëri më të bararabartë dhe më të drejtë, LIBRA kërkon njohjen, llogaritjen e minimumit jetik si kusht për të gjitha politikat sociale dhe pagesat që bën sektori publik dhe ai privat.
Ne kërkojmë që asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë të mos përfitojë më pak të ardhura se sa është minimumi jetik, pavarësisht se kush është, pavarësisht nga gjendja e tij, pavarësisht nëse punon dhe pavarësisht nga mosha apo vendbanimi i tij.
Zbatimi dhe respektimi i minimumit jetik është domosdoshmëri në një vend që i trajton të varfërit e vet si skllevër, që i poshtëron ata për shkak të statusit social, duke shkaktuar më shumë mjerim se çdo shoqëri tjetër europiane sot.
Minimumi jetik do ishte një Revolucion Human.”