Basha: Referendum kundër “mbetjeve”

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar këtë të hënë lidhur me ligjin e mbetjeve duke bërë dy deklarata të forta. Në një konferencë shtypi, Basha ka deklaruar fillimisht se opozita do të marrë masa për ta bllokuar ligjin e mbetjeve të miratuar në Parlament.
“Rruga e vetme për t’i prerë rrugën katastrofës kombëtare është bllokimi i saj. ne do të bëjmë gjithcka në aleancë me qytetarët që kjo cështje të mbyllet njëherë e mirë. do t’i kërkojmë presidentit të mos e ratifikojë ligjin, do të shohim të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë luajnë brenda saj, sepse zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Ne do t’i kërkojmë Kuvendit mbajtjen e një referencumi kundër importit të plehrave. Referendum që kërkon kërkesat e 28 deputetëve”, ka deklaruar Basha.
Deklarata tjetër e fortë prej tij ka qenë ajo në formë autokritike ndaj të njëjtit ligj të miratuar nga Partia Demokratike kur ishte në pushtet.
“Është një reflektim personal i imi se ligji që bëmë ne për importin e plehrave ka qenë i gabuar. Por nuk ka pasur interesa korruptive. Unë jam i penduar për vendimin e marrë. Një vend që promovon turizmin nuk mund të kthehet në vend për importin e mbetjeve. Ne atëherë besuam se do të vepronim në favor të interesit publik. Por ngritja e 64 mijë njerëzve ishte shprehje se ne dëgjuam zërin e qytetarëve. Nëse sot do të isha përpara këtij vendimi, qëndrimi im do të ishte negativ”, ka thënë Basha, i cili ka paralajmëruar një aleancë të PD me qytetarët kundër këtij ligji.
Gjatë konferencës së tij, Basha ka akuzuar qeverinë Rama se ka dhënë një tender në Fier për riciklimin e mbeturinave, ende pa u miratuar ligji javën e kaluar. “Kjo është prova e një korrupsioni mafioz dhe arsyeja e vetme pse tre vjet më parë Edi Rama anuloi ligjin e mbetjeve dhe këtë muaj e miratoi sërish”, ka thënë Basha.
Ai ka theksuar se, kjo çështje nuk i takon më qeverisë, “sepse qeverisja duhet t’i nënshtrohet vullnetit të popullit”. Kryetari i opozitës ka nënvizuar se, gjendja aktuale e institucioneve shqiptare e bën të pamundur kontrollin e mbetjeve që do të hyjnë në Shqipëri dhe për pasojë e kthen atë në një shënjestër të “mafias ndërkombëtare”.
“Të gjitha kushtet politike, ekonomike dhe të drejtësisë në Shqipëri bëjnë që importi të bjerë në duart e mafies ndërkombëtare të plehrave. Sot në Shqipëri ka korrupsion, kapje dhe kriminalizim të qeverisjes qëndrore e lokale. Sot qeveria nuk garanton dot as cilësinë e ushqimeve që importohen. Fqinjët kanë emergjenca me mbetje të rrezikshme e të parrezikshme dhe janë të interesuara për t’i çuar në vende të tjera. Kjo e kthen Shqipërinë në shënjestrën e mafies ndërkombëtare të plehrave”, ka thënë Basha.
Ai ka shtuar më tej se, “BE nuk vendos kushte se një vend duhet të marrë plehra nga një vend tjetër”. “Kjo është gënjeshtër që Edi Rama ua bën qytetarëve. Ligjet e miratuara në befasi bëhen për qëllime kryekëput korruptive dhe mafioze të Ramës, Gjiknurit dhe Ahmetajt”, ka shtuar kryetari i PD.

Advertisement