Basha: Rama tallet me 3 jetë të humbura, nuk ka rend.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë Rama për degradimin e situatës së rendit dhe sigurisë në vend.
“Kur 3 shtetas u vranë me armë dje, Edi Rama nxorri një zhgarravinë duke thënë se po vendos rendin, se numri i vrasjeve është ulur. U tall me 3 jetë të humbura, si të ishin dele e jo njerëz dhe u mburr me atë që është dështimi i tij i madh. Sepse rendi nuk ekziston. Rend nuk ka”, ka thënë Basha.
Sipas kreut të opozitës, sot “ka sundim të bandave, konflikte dhe vrasje me armë”. “Këtë pasiguri ekstreme e ka mbjellë ai në Shqipëri, me kanabizimin e vendit, me sprapsjen e ligjit, me rreshtimin e tij dhe Tahirit në krah të krimit”, ka thënë Basha.
Ai ka përmendur faktin se, ditën sotme janë verifikuar dy vrasje, një në Shkodër dhe një në Korçë. “Ndërkohë që dje policia, me urdhër të Ramës e Tahirit, i ka bërë rezistencë drejtësisë, duke penguar hetimin e duke mbrojtur 11 tonelata me drogë në Vlorë. Një bandit i qeverisë i del para prokurorit ne Mat dhe me armë në dorë i pret rrugën drejt parcelave me kanabis”, ka thënë Basha.
“Ky është shteti i Edi Ramës, ndërkohë që ai llomotit në Kuvend për drejtësinë. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Shqipëria do jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën”, ka shtuar Basha.

Advertisement