Të jetosh “normalisht” me këtë problem që fle gjumë brenda teje… Kam fituar lirinë e të njohurit të vetvetes në radhë të parë e me pas të personit të jetës…

Nga Rexhina Biba

Advertisement

Ka mësuar të jetojë  me këtë sëmundje qysh kur ishte 10 vjeç. Ndonëse kishte lindur i infektuar, 21-vjeçari me HIV/AIDS e ka mësuar shumë vonë problemin e jetës së tij. Kurioziteti për të mësuar përse merrte barna në mënyrë periodike, ka detyruar prindërit që në moshën 10-vjeçare t’i rrëfejnë atij problemin, me të cilin do të duhej të mësohej përjetë. Nuk ka shumë dëshirë të flasë për atë moment e as për shumë detaje të tjera, por tregon se është mësuar të jetojë me këtë problem bashkë me gjithë problematikën që gjen në shoqëri. Ky rrëfim i kursyer i 21-vjeçarit të infektuar me HIV/AIDS (nën kujdesin e Olimbi Hoxhaj, Drejtore e Ekzekutive e Shoqatës së Personave që jetojnë me HIV/AIDS) është realizuar në kuadër të Ditës Botërore kundër SIDA-s.

Sa vite keni i infektuar? Si e zbuluat dhe si e përjetuat?

Që nga lindja, pra plot 21 vjet. Zbulimi dhe njohja me këtë të vërtetë ndodhi, kur isha vetëm 10 vjeç në kureshtje e sipër për medikamentet që po më jepnin për të pirë. Një kërshëri fëmije, më shumë naive që përfundoi në një shndërrim emocional dhe në një ndjesi të çuditshme që sot e kësaj dite ka ngelur si një pikënisje e re për jetën time.

E diskutoni me njerëzit këtë problem tuajin shëndetësor?

Përveç njerëzve që e marrin vesh në rrugë dytësore, unë këtë anë të jetës time e ndaj dhe e diskutoj vetëm me njerëz që kanë një lloj vlere të caktuar për mua.

Si reagojnë njerëzit, kur e marin vesh… Ju largojnë, ju afrojnë, ndiejnë keqardhje?

Të them të drejtën kjo nuk dihet kurrë. Çdokush ka përjetimin e tij dhe vjen një moment që nuk  ka më rëndësi kjo pjesë, por rëndësi për mua ka vetëm mosarritja ose shfaqja e mishërimit nga ana e individëve të njohur dhe të panjohur në përditshmërinë time. Unë dhe askush nuk e meritojmë mëshirën, ndoshta vetëm duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë sadopak nga ato që shpreh, flas dhe ndaj me të tjerët si përvoja.

Po me familjarët çfarë marrëdhënie keni. …Me kë jeni më i lidhur?

Një familje me probleme dhe lidhje të forta emocionale dhe harmonie siç është jeta dhe përditshmëria. Nuk lidhem mbas personave të caktuar, lidhem pas momenteve të caktuara me persona të ndryshëm.

Keni shumë miq?

Platoni thoshte se ata që thonë të vërtetën janë më të urryerit , keshtu që në rastin tim vlen fjala ‘”pak dhe saktë”.

Ke ndonjë mik tjetër të infektuar… Diskutoni me të për problemet shëndetësore që mund t’ju shfaqen?

Siç e thashë dhe më sipër për këtë problematikë nuk ke se për çfarë të flasësh, veçse për historikun ose për përjetimin e parë. Ndodh, dhe pastaj jeton ”normalisht” me një problem që fle gjumë brenda teje. Gjithsesi nuk njoh njerëz të afërt që të jenë të infektuar.

Je i dashuruar apo ke qenë ndonjëherë i dashuruar? Nëse po, me trego pak për marrëdhënien që kishit/keni?

Nuk jam eskapist që të merrem me të kaluarën, por që për momentin kam fituar lirinë e të njohurit të vetvetes në radhë të parë e me pas të personit të jetës. Ndonëse problemi fle tek unë, ashtu siç e vunë në gjumë brenda mendjes së tyre dhe ish-të dashurat e mia, një shije e çuditshme ndihet midis dy personave, pra ti mund të bësh gjithçka si një njeri normal, por në mendjen e tyre ti ke diçka, nga e cila sipas mendjelehtësisë së tyre nuk do shkëputesh kurrë.

Çfarë do bëje ndryshe në jetën tënde, nëse mund ta ktheje kohën pas?

Absolutisht asgjë, çdo gjë ka ndodhur që unë të mësoj se kush jam dhe se kush më rrethon, me këtë që kam apo pa këtë që kam.