Nga djepi i kulturës dhe dijes, nga Korça, kryeministri i vendit, Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit të 35 figurave të shquara që dhanë kontributin e tyre të paçmueshëm për arsimin dhe gjuhën shqipe.

Me praninë jo vetëm të kryeministrit të vendit, por edhe të zv/kryeministrit, Ministres së arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, aktiviteti i zhvilluar në kuadër të 130 vjetorit të Mësonjëtores së Parë Shqipe, mblodhi bashkë personalitete të jetës politike, por jo vetëm, për të përçuar mesazhe për festën e mësuesit.

Advertisement

Rama e nisi urimin për mësuesit, me ministren Nikolla si një ish-mësuese ndërkohë që vuri në dukje se sfida e qeverisë është të rikthejë autoritetin e mësuesve tek nxënësit.

“Nëse kremtojmë Mësonjëtoren e Korçës si shkollë e parë, nuk është vetëm sepse këtu gjuha shqipe u lëvrua në baze të një programi shkollor por sepse këtu për herë të mësimdhënia dhe mësimnxënia e gjuhës shqipe, bëri të jetë një aktivitet i strukturuar”, tha ai.

Nga auditori i universitetit “Fan Noli”, kryeministri Rama vuri në dukje se arsimimi sot duhet të mëshirojë vlerat e së kaluarës, siç përçohet sot nga Mësonjëtorja e Parë Shqipe.

Megjithatë, për të, ende ka probleme në arsim, ndaj duhet sipas Ramës, duhet të përputhet vullneti i shkollës së sotme me vokacionin e Mësonjëtores.

Kryeministri e cilësoi një përpjekje pa kthim, rrugën tashmë të nisur në arsim ç’ka bashkon aspiratat e nxënësve, prindërve me shkollën.

“Përpjekja për të përputhur aspiratat e fëmijëve, prindërve në raport me shkollën,  është një përpjekje që vazhdon por ç’ka duam është ta kthejmë në një përpjekje pa kthim për arsimin tonë”, tha Rama.

Rama sfidoi kritikët mbi reformën e ndërmarrë në arsim, duke sqaruar se kjo reformë nuk i sjell frytet në zgjedhjet e ardhshme por në gjeneratën tjetër. Sipas tij, kjo reforme duhet të ishte bërë 20 vite më parë.

Në përmbyllje të fjalës së mbajtur, ai nuk la pa prekur edhe çështjen e reformës së drejtësi..

“Dua t’ju kujtoj të gjithëve që Mësonjëtorja trupëzoi një zinxhir brezash që sollën edhe kontribute të posaçme ne strukturimin e nje drejtësie funksionale. Të gjitha gjykatat e shëmtimit sot duhet t’ja lënë vendin një autoriteti të rilindur të drejtësisë, ku drejtësia të jetë mishërimi i barazisë përpara ligjit për këdo. Patjetër që është një sfidë e domosdoshme por edhe e mundur. Është sfida e fëmijëve tanë që duhet ta fitojmë ne sot, për ata”, përfundoi Rama.

Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se sot mësuesit janë të lirë për të konkurruar dhe ushtruar profesionin e tyre.

“Të dashur kolegë. Ky është i katërti vit që pres urime si ish mësuese dhe ndjehem krenare se qeveria e Edi Ramës bëri të mundur që sot ju të konkurroni në universitete të akredituara nga Bashkimi Europian. Ju sot jeni të lirë për të ushtruar me plot pasion misionin fisnik të mësuesit”, tha ajo.

Ndërsa për kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, çelja e kësaj shkollë u bë shembull në rrugën e ndjekur nga rilindasit e asaj kohe.

“Mësonjëtorja nuk ishte vetëm një arritje mësimore por një akt patriotik. Duke qenë një fitore e rëndësishme për kombin, çelja e kësaj shkollë u bë shembull në rrugën e ndjekur nga rilindasit tanë. Një popull mund të zgjohet vetëm duke u ndriçuar mendërisht”, nënvizoi  Filo.